Orthodox Autocephalous Church of Albania-Supporters

Σάββατο 9 Μαρτίου 2013

100-VJETORI I PAVARESISE , ORGANIZOHET SESIONI SHKENCOR : "ZHVILLIMI KERKON NDRYSHIM"



Me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë , më datë 22 Nëntor 2012 , Universiteti "LOGOS" organizoi një sesion shkencor me temë : "Zhvillimi kërkon ndryshim". Merrnin pjesë presidenti i Fondacionit "LOGOS" , Prof.Dr Anastasi , profesorë dhe akademikë të universitetit , studentë si edhe përfaqësues të universiteteve të tjera e të ftuar.
Fjalën e hapjes e mbajti zv/rektori Prof.As.Dr Beatriçe Polo .Në fjalën e saj ajo u ndal në simbolin dhe vlerat e mëdha të aktit të shpalljes së Pavarësisë. Ndër të tjera , znj.Polo përmendi edhe disa nga deklaratat e Ismail Qemalit gjatë kuvendit të Vlorës : "…Shqipëria të bëhet sot më vete , e lirë dhe e pavarur"….. dhe më pas drejtuar popullit : "… Ne e firmosëm aktin e pavarësisë , ju takon juve tani ta bëni Shqipërinë e pavarur". Kjo frazë shumë filozofike , në substancën e saj kërkon shumë punë , shumë mund dhe sakrifica , shumë dije dhe edukim , shumë shpirt dhe dashuri. Është detyrë edhe e brezit të sotëm , të studiojë , të punojë me ndërgjegje për begatinë e vendit dhe integrimin denjësisht në komunitetin evropian e më gjerë.
Më pas , u mbajtën disa referate :

Dinamika e popullsisë së vendit tonë në 100-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë 
Prof.Dr. Ilia Telo - Rektor i Universitetit "LOGOS"
Duke u mbështetur në të dhëna statistikore , z.Telo bëri një analizë të hollësishme të ndryshimeve të popullsisë shqiptare në këto 100 vjet, si numri i përgjithshëm iI popullsisë , raporti meshkuj/femra , dendësia , numri i familjeve , ndarja sipas vendbanimit qytet/fshat krahasuar edhe me vendet fqinjë , përbërja sipas besimeve fetare, raporte të numrit të popullsisë shqiptare brenda dhe jashtë kufijve etj.

Identifikimi dhe vlerësimi i profileve të studentëve nëpërmjet Machine Learning 

Evis Trandafili , Doktorante në proces në Informatikë 
Ky referat trajtoi një sërë çështjesh që kanë të bëjnë me përpunimin dhe vlerësimin dixhital të të dhënave përsa i përket ecurisë së studentëve në Institucionet e Arsimit të lartë në Shqipëri.Analizimi i informacionit personal të studentëve , ecurisë dhe arritjeve të secilit në lëndë të ndryshme , indikacioneve të performancës etj është një domosdoshmëri në marrjen e vendimeve në lidhje me përmirësimin e kurrikulave , rritjen e cilësisë së kurseve të ofruara , evidentimin e pikave të dobëta dhe të forta të çdo studenti , zbulimin e anomalive në procesin e mësimdhënies etj.
Përsosja e kontabilitetit në vendin tonë në 100 vitet e fundit 
Prof . Dr. Leandro Haxhi
Ne fjalën e tij z.Haxhi u ndal fillimisht në të dhëna historike përsa i përket mbajtjes së kontabilitetit në Shqipëri. Gjurmët e para rreth kontabilitetit në vendin tonë , i gjejmë që në vitin 1889 , në librin "RADHUESHKRONJE" , të atdhetarit Jani Vreto. Në arkivat shtetërore gjenden bilance të periudhës së Ismail Qemalit , përmenden ligje të periudhës së mbretit Zog , apo edhe libra e botime të kohës.Me pas z.Haxhi analizoi metodikat dhe problematikën e mbajtjes së kontabilitetit në ekonominë e centralizuar të periudhës së diktaturës , si edhe ndryshimet dhe përmirësimet e bëra në këtë fushë pas viteve '90 e deri në ditët e sotme si edhe nevojat e ndryshimit dhe zhvillimit te rregullave kontabël që kërkon integrimi në Bashkimin Europian.

Mbrojtja e mjedisit është detyrë parësore e mbarë shoqërisë
Prof. As. Dr Pirro Prifti
Problemet e mjedisit dhe ndikimi që ato kanë në shëndetin e njeriut , ishin çështjet kryesore të referatit të mbajtur nga z.Prifti. Ai u ndal gjerësisht në trajtimin e faktorëve të ndotjes së ajrit por edhe ndikimin konkret që kanë në shëndetin e njeriut disa nga ndotësit kryesore si CO , O3 , SO2 , NO2, PM , PM10 etj Gjithashtu u dhanë statistika mbi nivelin e ndotjes në disa prej qyteteve kryesore të Shqipërisë dhe të dhëna mbi raportet midis nivelit të ndotësve dhe rritjes së numrit të të sëmurëve me patologjitë polmonare , sëmundjeve kardio-vaskulare , tumoreve etj.
Më pas , ishte radha e studentes së degës Menaxhim-Biznes , Pamela Mukaj e cila trajtoi temën : "Ndërgjegjja dhe edukimi fisnikëron natyrën e njeriut dhe moralin e veprave të tij".

Në fund të pranishmit diskutuan dhe drejtuan pyetje mbi temat e trajtuara në këtë sesion shkencor. 

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου