Orthodox Autocephalous Church of Albania-Supporters

Κυριακή 4 Νοεμβρίου 2012

Apostulli Gal: 6:11-18 Ungjilli Llk. 16:19-31 (E diel 4 nëntor)

Apostulli Gal: 6:11-18 
Vini re me çfarë shkronjash të mëdha ju shkrova me dorën time. Sa duan të duken të mirë në mish, këta ju detyrojnë të rrethpriteni, vetëm që të mos përndiqen për kryqin e Krishtit. Sepse as ata që rrethpriten s’e ruajnë ligjin, por duan të rrethpriteni ju, që të mburren me mishin tuaj. Por për mua qoftë larg të mburrem për tjetër gjë, veç për kryqin e Zotit tonë Jisu Krisht, me anë të të cilit bota është kryqëzuar tek unë, dhe unë tek bota. Sepse në Jisu Krishtin as rrethprerja nuk ka fuqi, as parrethprerja, por krijesa e re. Edhe për të gjithë sa ecin sipas këtij rregulli, paqe e përdëllim qoftë mbi ta, dhe mbi Izraelin e Perëndisë. Tani e tutje askush le të mos më shqetësojë; sepse unë mbaj shenjat e Zotit Jisu në trupin tim. Hiri i Zotit tonë Jisu Krisht qoftë bashkë me shpirtin tuaj, vëllezër. Amin.

Ungjilli Llk. 16:19-31
Edhe një njeri ishte i pasur, dhe vishej me purpur e me stoli të kuqe, duke gëzuar përditë ndriçim.  Ishte dhe një i varfër që e kishte emrin Llazar, i cili dergjej pranë portës së atij plot me plagë,  edhe dëshironte të ngopej me thërrimet që binin nga tryeza e të pasurit; por edhe qentë vinin e lëpinin plagët e tij. Edhe i varfëri vdiq dhe u pru nga engjëjt në gjirin e Abrahamit. Vdiq edhe i pasuri dhe u varros. Edhe në hadh, ku ishte në mundime, ngriti sytë e tij e sheh Abrahamin së largu, dhe Llazarin në gjirin e atij.  Edhe ai thërriti e tha: O atë Abraham, përdëllemë, dhe dërgo Llazarin, që të lyejë majën e gishtit të tij në ujë, dhe të më ftohë gjuhën; sepse po mundohem në këtë flakë.  Po Abrahami i tha: O djalë, kujtohu, se ti i more të mirat e tua në jetën tënde, dhe Llazari gjithashtu të këqijat; po tani ky prehet, e ti mundohesh.  Edhe mbi gjithë këto, në mes nesh e jush është ngulur një pafundësi e madhe, që kështu ata që duan të shkojnë së këtejmi tek ju, të mos mundin, as të andejmit të kalojnë tek ne. Edhe ai tha: Të lutem pra, o atë, ta dërgosh atë në shtëpinë e tim eti sepse kam pesë vëllezër; që të japë dëshmi ndër ata, që të mos vijnë edhe ata në këtë vend të mundimit.  Abrahami i thotë: kanë Moisiun dhe profetët; le të dëgjojnë ata. Edhe ai tha: Jo, o atë Abraham; por në shkoftë ndonjë nga të vdekurit tek ata, do të pendohen. Edhe ai i tha: Në qoftë se nuk dëgjojnë Moisiun dhe profetët, as në u ngjalltë ndonjë nga të vdekurit, s’kanë për t’u bindur.

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου