Orthodox Autocephalous Church of Albania-Supporters

Κυριακή 8 Απριλίου 2012

Mëngjezore Mt. 21:1-11,15-17,Liturgji Apostulli Fil.4:4-9 Ungjilli Jn.12:1-18


Mëngjezore Mt. 21:1-11,15-17
Edhe kur u afruan në Jerusalem, dhe erdhën në Betfagji pranë Malit të Ullinjve, atëherë Jisui dërgoi dy nxënës, duke u thënë atyre: Shkoni në atë fshat që është përballë jush, dhe menjëherë do të gjeni një gomare të lidhur dhe një pulisht bashkë me të. Zgjidhini e m’i sillni. Edhe në u thëntë gjë juve ndonjë njeri, t’i thoni se Zoti ka nevojë për atë; dhe menjëherë do t’i dërgojë ata mbrapsht. Edhe gjithë kjo u bë që të përmbushet ç’është thënë nga profeti, që thotë: “Thuajini bijës Sionë: Ja mbreti yt tek po të vjen i butë dhe hipur mbi gomare dhe mbi pulisht bir shtaze”. Edhe nxënësit, si shkuan, dhe bënë siç i urdhëroi ata Jisui, prunë gomaren dhe pulishtin. Edhe vunë mbi ata rrobat e tyre dhe e hipën atë sipër. Edhe më e shumta e turmës shtruan rrobat e tyre në udhë; dhe të tjerë këputnin degë pemësh e i shtronin në rrugë. Edhe turmat që i vinin përpara dhe ata që i vinin prapa bërtitnin, duke thënë: Hosana birit të Davidit. I bekuar është ai që vjen në emrin e Zotit. Hosana në më të lartat. Edhe kur ai hyri në Jerusalem, u tund tërë qyteti duke thënë: Cili është ky? Edhe turmat thoshin: Ky është Jisui, profeti, që është nga Nazareti i Galilesë. Po kryepriftërinjtë dhe shkruesit, kur panë çudirat që bëri, dhe djemtë duke bërtitur në tempull e duke thënë: Hosana birit të Davidit, u zemëruan dhe i thanë atij: Dëgjon se ç’thonë këta? Edhe Jisui u thotë atyre: Po. Kurrë s’keni lexuar “Se nga goja e fëmijëve dhe e foshnjave bëre gati lavdërim”? Edhe si i la ata, doli jashtë qytetit në Betani, dhe e shkoi natën atje.


Liturgji Apostulli Fil.4:4-9
Gëzohuni përherë në Zotin; përsëri do të them: Gëzohuni. Butësia juaj le të njihet në të gjithë njerëzit. Zoti është afër. Mos kini kujdes për asgjë; po në çdo gjë kërkesat tuaja le t’i bëhen të njohura Perëndisë me falënderime me anë të faljes e të lutjes. Edhe paqja e Perëndisë që kapërcen çdo mendje do të ruajë zemrat tuaja dhe mendimet tuaja me anë të Jisu Krishtit. Prandaj, vëllezër, sa janë të vërteta, sa janë të hijshme, sa janë të drejta, sa janë të pastra, sa janë të dashura, sa janë të lavdëruara, nëse ka ndonjë mirësi, dhe nëse ka ndonjë lavdërim, këto mendoni. Ato që edhe mësuat dhe morët dhe dëgjuat e patë tek unë, këto bëni; dhe Perëndia i paqes do të jetë bashkë me ju.

Ungjilli Jn.12:1-18
Jisui pra gjashtë ditë përpara pashkës erdhi në Betani, ku ishte Llazari që pati vdekur, të cilin e kishte ngjallur prej së vdekurish. Edhe i bënë darkë atje; dhe Marta shërbente; dhe Llazari ishte një prej atyre që rrinin në tryezë bashkë me të. Atëherë Maria mori një litër vaj ere prej nardi të papërzier, shumë të shtrenjtë, dhe leu këmbët e Jisuit, dhe me flokët e saj fshiu këmbët e tij; dhe shtëpia u mbush me aromën e vajit të erës. Një, pra, nga të dymbëdhjetë nxënësit e tij, Juda Iskarioti, i biri i Simonit, ai që do ta tradhtonte, thotë: Përse të mos shitej ky vaj ere treqind dinarë e t’u jepej të varfërve? Edhe këtë e tha, jo se donte të dinte për të varfrit, po se ishte vjedhës dhe kishte kuletën e asprave, dhe mbante ç’viheshin në të. Jisui pra tha: Lëre, se e ruajti për ditën e varrimit tim. Sepse të varfrit i keni përherë bashkë me vete, po mua nuk më keni përherë. Një turmë e madhe pra prej Judenjve morën vesh se është atje; dhe erdhën jo për Jisuin vetëm, po që të shohin edhe Llazarin, të cilin e kishte ngjallur prej së vdekurish. Po kryepriftërinjtë bënë këshillë, që të vrasin edhe Llazarin. Sepse shumë veta prej Judenjve vinin për atë, dhe i besonin Jisuit. Të nesërmen një turmë e madhe që kishte ardhur në të kremten, kur dëgjuan se vjen Jisui në Jerusalem, morën degë palmash, dhe i dolën përpara ta presin, dhe thërrisnin: Hosanna, i bekuar është ai që vjen në emrin e Zotit, mbreti i Izraelit. Edhe Jisui gjeti një pulisht, dhe ndenji mbi të, siç është shkruar: “Mos ki frikë, bijë e Sionit, ja mbreti yt tek po vjen duke ndenjur mbi pulisht gomareje”. Edhe nxënësit nuk i kuptuan këto në fillim; po kur u lavdërua Jisui, atëherë u ra ndër mend atyre se këto ishin shkruar për të, dhe se këto ia bënë atij. Turma pra që ishte bashkë me të dëshmonte se thirri Llazarin nga varri, dhe e ngjalli prej së vdekurish. Prandaj edhe turma i doli përpara, sepse dëgjoi se ai kishte bërë këtë çudi

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου