Orthodox Autocephalous Church of Albania-Supporters

Κυριακή 5 Ιουνίου 2011

Anastas Janullatos


Apostull i ditëve tona

Gjatë gjysmës së parë të shekullit XX, Kisha Orthodhokse ishte relativisht jo aktive në misionarizëm. Përpjekjet e mëdha misionare të Kishës Ruse shkuan drejt fundit, ndërsa perdja komuniste e izoloi plotësisht Kishën. Ndërkohë Kishat Orthodhokse të Ballkanit u përpoqën të kapërcenin pasojat e pesë shekujve të regjimit Otoman. Megjithëse vendet orthodhokse si Greqia, Rumania, Bullgaria dhe Serbia fituan pavarësinë, një ndjenjë e fuqishme nacionalizmi mbizotëronte brenda Kishës dhe ideja e shërbimit jashtë kufinjve të vendit të tyre ishte një ide, të cilën pak njerëz e menduan thellë.

Vetëm përpara fundit të viteve 1950, një numër teologësh të rinj orthodhoksë filluan të ngrenë zërin për nevojën e misionarizmit jashtë Kishës. Nga një konferencë ndërkombëtare e të rinjve orthodhoksë që u mbajt në vitin 1958, filloi të zhvillohet një thirrje për misionarizëm. Këta të rinj, shprehën idenë se përgjegjësia e Kishës ndaj misionit nuk ishte thjesht diçka e së kaluarës, por përkundrazi një përgjegjësi për Kishën bashkëkohore. Pavarësisht nga gjendja e vështirë e një Kishe të varfër të sapoçliruar nga nënshtrimi, thirrja apostolike e Zotit kërkonte një përgjigje. Udhëheqësi i këtij grupimi shumë të ri ishte Anastas Janullatos, një i ri orthodhoks, teolog nga Greqia. Ai sfidoi Kishën e Greqisë po aq sa dhe Kishën Orthodhokse në një shkallë më të gjerë, që të ringjallte traditën e dikurshme misionare.

Në vitin 1959, Anastasi ndihmoi në themelimin e "Porefthentes" (Shkoni), një lëvizje misionare qëllimi i së cilës ishte të rindizte ndërgjegjien misionare të Kishës Orthodhokse dhe gjithashtu të edukonte botën jo-orthodhokse për trashëgiminë e pasur misionare të Kishës së Lindjes. Kjo lëvizje filloi të nxirrte një revistë në greqisht dhe anglisht që titullohej "Porefthentes". Në numrin e parë të saj, Anastasi shkroi një artikull nxitës të titulluar "Urdhëresa e harruar", me të cilin ftonte Kishën për të rizbuluar zellin misionar të brezave të mëparshëm. Në këtë artikull teologu i guximshëm vinte në pyetje plogështinë e pranuar ndaj misionit që mbizotëronte në Kishën bashkëkohore Orthodhokse:

“Nuk është një çështje “a mundemi?”, por është një urdhërim i detyruar “ne duhet”: “Shkoni, pra, dhe mësoni të gjithë kombet! Shkoni në të gjithë botën dhe predikojini Ungjillin çdo krijese!” Nuk thuhet “shikoni nëse mundeni”, por është një urdhër i përcakuar, një urdhër i thënë qartë nga Zoti ynë... Nëse e lëmë veten të prehemi të qetë në këtë ngurtësi zakoni përsa i përket misionarizmit, jo vetëm që po e fshehim dritën e pastër të besimit “nën tas”, por po tradhëtojmë një nga elementët bazë të traditës sonë Orthodhokse. Sepse puna misionare ka qenë një traditë brenda Kishës Orthodhokse... Aktiviteti misionar nuk është thjesht diçka “e dobishme” ose “e këndshme”, por është një urdhëresë, mbi të gjitha na jep një detyrë, nëse me të vërtetë duam të kemi vazhdimësi në Besimin tonë Orthodhoks”.

Anastasi, u bë i njohur si mbështetës dhe drejtues i misionarizmit në vitet që pasuan. Ai i nxiste besimtarët orthodhoksë të rigjenin kuptimin e pastër të “një Kishe të Shenjtë, të Përgjithshme dhe Apostolike”. Madje ai shpresonte të ngrinte një lloj qendre misionare orthodhokse të jashtme. Megjithatë entuziazmi i tij u vu në lojë prej shumicës së qarqeve orthodhokse, si qëllim jo realist. Sipas një thirrje që ai u drejtoi studentëve të teologjisë në Universitetin e Athinës, në janar të vitit 1959, dikush nga salla bëri një vërejtje duke thënë në mënyrë skeptike, se “organizimi i një Qendre Misionare të Jashtme është njësoj si një mrekulli”. Kësaj, Anastasi iu përgjigj: “Jemi plotësisht në një mendje, por si të krishterë ne besojmë në mrekullitë”. Jeta dhe vepra e Anastas Janullatosit, ndoshta misiologjistit më të rëndësishëm në botën e sotme, tregon shembullin e realizimit të një mrekullie në Kishën Orthodhokse bashkëkohore.



(Marrë nga libri: At Luka Veronis, Misionarë, murgj dhe martirë: Duke bërë dishepuj nga të gjitha kombet, (përkthyer në shqip), botim i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Tiranë, 2003.

Titulli i origjinalit: fr. Luke Veronis, Missionaries, Monks and Martyrs: Making Disciples of All Nations, Light & Life Publishing Co., 1994.

http://www.orthodoxalbania.org/Shqip/Kryepeshkopi/frames/AAFrame.htm

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου